DY PLEQËT DHE MIZA
Dy pleq dhe një mizë kryeneçe. Një tregim nga Muhamet Ajeti.
Vjeshta po i afrohej fundit dhe, nga gjithë ato miza që mbushnin fshatin gjatë verës, njëra u kishte mbijetuar të gjitha "stuhive". Ishte nga ato mizat kryeneçe që i ngjiten kalit në bythë, pikërisht nën bisht, ku s’i bën punë as bishti.
Të dy përpiqeshin ta vrisnin, por gjithmonë dështonin. Plaka e qortonte të shoqin se nuk ishte i zoti të vriste as një mizë. Ai ia kthente njësoj kur dështonte ajo. Edhe më parë ziheshin për vogëlsira. Tani kishin edhe mizën. Ndërsa ata grindeshin, ajo shijonte lirinë. Një pasdite, plaku mbështolli gazetën dhe iu afrua së shoqes.
— Mos lëviz. E ke në kokë.
— Mos më bjer fort.
Pa e ngritur mirë gazetën, miza iku.
— Pse s’i re?!
— S’më la kohë.
— Derisa mendohesh ti, ajo bëhet gjyshe.
Pak më vonë, miza iu ul plakut në ballë. Plaka rrëmbeu pecetën e lagur.
— Tani mos lëviz ti.
Goditja e zuri përmes fytyrës.
— Ma nxore syrin!
— Prit të shoh ku ra.
Miza ecte në buzë të filxhanit.
Të nesërmen, plaka vuri pak mjaltë në një pjatë. U ulën përballë dhe pritën.
— S’e do mjaltin tënd, tha plaku.
— Ti e bleve.
— Për mua, jo për të.
Më në fund, miza u ul në pjatë. Të dy goditën njëherësh. Pjata u përmbys dhe mjalti iu derdh plakut në prehër.
— E vrave?
Ngritën gazetën. Pastaj dorën. Asgjë.
Kur plaku u ngrit, miza iu ul në gjurin e lyer me mjaltë.
— Ja ku është!
— Mos!
Por plaka e kishte ngritur tashmë dorën.
Atë mbrëmje, ai fërkonte gjurin, ndërsa ajo ndiqte mizën me sy. Kur u ul mbi fotografinë e dasmës, plaku zgjati dorën për gazetën.
— Lëre, tha plaka. Sapo e pastrova xhamin.
Një ditë, plaka e gjeti mizën të mbytur në gotën gjysmë të mbushur me qumësht. Mezi priti t’ia tregonte plakut. Ai u përkul mbi gotë.
— U mbyt, ë?
Në shtëpi ra një qetësi e padurueshme. Gazeta mbeti e palosur mbi tavolinë. Herë pas here, ndonjëri kthente kokën nga dritarja.
Tani prisnin verën. Veç nuk e dinin nëse do ta mbërrinin edhe një herë sezonin e mizave.