A po na përgatit Arlind Farizi befasinë e radhës?
Pas "Malagatës", publikimet e reja letrare të Arlind Farizit ngjallin kureshtje për atë që mund të vijë. Një portret psikologjik përmes një fragmenti nga proza e tij.

Pas botimit të "Malagatës", Arlind Farizi duket se po përgatit befasinë e radhës. Ndjekësit e tij në Facebook do ta kenë vënë re shpeshtimin e publikimeve letrare, fragmente që të nxisin të pyesësh nëse pas tyre po merr formë një libër i ri.
Fragmenti që sjellim më poshtë është një prozë e shkurtër me tipare të portretit psikologjik. Farizi nis nga veshja dhe mospajtimi i ngjyrave për të depërtuar në gjendjen e brendshme të personazhit. Pamja e jashtme bëhet shprehje e pështjellimit të saj, ndërsa telefoni merr kuptimin e një orientimi të rremë: ajo e shtrëngon në dorë, megjithëse duket se pikërisht ai ia ka ngatërruar rrugën.
A janë këto fragmente pjesë e një dorëshkrimi të ri? Na mbetet të presim. Deri atëherë, mund të shijojmë dromcat letrare që Farizi na i sjell herë pas here.
Fragment nga Arlind Farizi
Ishte veshur keq, pa shije, pa atë tonalitetin e ngrohtë të së kaftës, që thyhej lehtë nga një nuancë vjollceje. Ngjyrat nuk gjenin dot gjuhën e përbashkët me njëra-tjetrën; përplaseshin në një kakofoni të shëmtuar estetike, paradoksalisht, njësoj si ndjenjat e saj, të ngatërruara deri në pështjellim, përhumbje. Gjithçka tek ajo ishte një lëmsh i pazgjidhshëm, një kaos që nuk kërkonte më shpjegim pos kohë e humbur, ose kohë e pamjaftueshme njohjeje. Edhe telefoni që mbante në dorë dukej si një busull e çmagnetizuar, që e drejtonte vazhdimisht në kahun e gabuar. E shtrëngonte si të ishte i vetmi orientim që i kishte mbetur, ndonëse pikërisht prej telefonit dukej se e kishte humbur edhe më shumë rrugën.